Lidhu me ne

Shënime

“Jo, nuk isha e prerë për një jetë ‘normale'” | Një dashuri si në libra.

Published

on

Mjekja aktore Anisa Markarian

Kur linda unë, im atë ishte 64 vjeç e ime më 41. Isha fëmija i tyre i parë; im vëlla do të vinte në jetë 4 vjet pas meje. Në një foto bardhë e zi të fundvitit 1961, prindërit e mi pozojnë të shtrënguar pas njëri-tjetrit në rërën e lagësht përpara hotel «Adriatik»-ut. Jam edhe unë aty… Në brendësinë e ngrohtë të sime mëje, duke shijuar (në mënyrë fiziologjikisht të pandërgjegjshme), të vetmen periudhë të jetës sime në të cilën bota më projektohej uniformisht njëngjyrëshe: e kaltër. (Ndoshta sepse isha ngjizur në Durrës, pranë detit?!)

Nuk kisha dëgjuar akoma prapa veshit pëshpëritjet keqdashëse «sa të moshuar i ka prindërit»; nuk kisha kryqëzuar ende vështrimet e çoroditur të atyre që me hamëndje më merrnin për mbesën e prindërve të mi; nuk ma kishin tejpërshkuar zemrën shigjetat e helmuara të «specialistëve» që hapnin fjalën se isha fëmijë i adoptuar. (Fekondimi artificial duhej të ishte në ato vite një ide edhe më utopike se sa zbarkimi i marsianëve tek Currilat.) Ç’ishte më e keqja, nuk shqiptoja dot as edhe një rrokje, që të mund t’u përgjigjesha: «O NJERËZ, MOS MA QANI HALLIN!» Atë verë të vitit 1962, fakti që një burrë i shkurtër, pothuaj krejt i shogët (më i bukuri mbi dhé!) e një mesogrua (më fatlumja e botës!) ishin bërë prindër për herë të parë, duhej të ishte ndër «ngjarjet» më të përfolura në Tiranë. – E morët vesh lajmin? Doktor Markarian u bë baba! – Ouu?! Kam frikë se po ngatërrohesh. U bë gjysh, deshe të thuash. – Jo, mi jo! I lindi e shoqja vajzë. – Ashtuuu?!! Po mirë ai, se burrat nuk janë kurrë të vjetër për atë «punë», po… ajo?! Si paska mundur të mbetet shtatzënë në moshën që ka?! – Hë, pra! Atë them dhe unë. Kushedi ç’marifet do të kenë përdorur… – E ç’u duhej fëmija në këtë moshë?! Apo, që ta lënë jetim? – Thua do të jetë sakllam ajo vajzë?! – Edhe në qoftë, do ta ketë të pamundur të rritet normale. – E shkreta gocë… S‘do mund të jetojë normalisht me prindër aq të moshuar… Ju kishit të drejtë, përfolësa anonimë.

Asgjë nuk ka qënë «normale» në jetën time. Dhe aq më mirë! Normalitetin e kam quajtur gjithnjë një status sa të palakmuar aq edhe të pamjaftueshëm. Të mërzitshëm, bile. Pothuaj të rrezikshëm! Sepse të mpin shqisat, të ndrydh iniciativën, të fyen krenarinë, të çvesh petkun e veçantisë, të zhyt në rëndomtësinë e pabujë, të vjedh të jashtëzakonshmen… (Ndërkohë që fati sapo më kishte dhuruar «anomalinë» e parë shkëlqimtare: dy prindër «të moshuar».) Alergjia ime ndaj normalitetit do ta ketë marrë zanafillën që në ditët e para pas lindjes. Pa e kuptuar, pa e kërkuar. Ndërsa më shëtitnin rrugëve të Tiranës me karrocën e blerë tek «Valuta» që, nga forma dhe përmasat, i përngjante një krevati fëmijësh me rrota. (Do të vazhdoja të përfitoja nga bollëku i gjërësisë së saj edhe pas lindjes së tim vëllai; prindërit më lejonin të ulesha në këmbët e tij, me këmbët e mia të varura jashtë karrocës.) Jo, nuk isha e prerë për një jetë «normale». Dhe aq më mirë! Im atë nuk guxoi të më puthë në faqe gjer sa u bëra 1 vjeç, me frikën se mund të më lëndonte lëkurën foshnjore me buzët e tij të rrudhura. Vetëm më merrte erë në gushë, më përkëdhelte flokët, më puthte gishtat e duarve dhe të këmbëve. Dhe më fliste… Në armenisht. Mbrëmjeve më këndonte ninullat e fëmijërisë së tij, me të cilat kishte vënë në gjumë edhe motrat e vëllain e vogël. Më në fund, mrekullisht, fati i kishte dhënë lumturinë t‘ia këndonte bijës së vet; do t’ia këndonte edhe të birit, 4 vjet më pas.

Unë e im vëlla jemi frut i dashurisë së një burri të pjekur e të një vajze flokëthinjur, që e kryen gjer në fund misionin e tyre mbi tokë. Pa bërë llogari me moshën, pa iu përvjedhur përgjegjësive, pa iu trembur nofkës poshtëruese «prindër-gjyshër». Oh, si kam qarë ditën kur im atë më tërhoqi mënjanë për të më thënë, si i zënë në faj: «më mirë të mos vij në mbledhjen e prindërve, sepse s’dua të të vë në siklet përpara shoqeve e shokëve të klasës, që i kanë baballarët të rinj». O babi im i bukur, të vunë përfund normalët?! Ç’fat, që u rrita ndryshe nga «ata»… Në familjen time nuk përgojoheshin të tjerët, nuk thuheshin kurrë fjalë të pista (të më falin ithtarët e fjalorit «rebel»), nuk shpërdorohej koha, nuk ngrihej kurrë zëri (im atë dëgjonte më mirë kur flisnim me zë të ulët), nuk kurseheshin shprehjet: «të dua, ju dua, jeni thesari i jetës sime…» (Ngushëllimi i vetëm kur humba prindërit ka qënë pikërisht mospasja e pengut brenda vetes se nuk kisha mundur t’u thoja sa i doja.) Në shtëpinë tonë, historia e botës rrëfehej nga dëshmitarë të drejtpërdrejtë; dëgjohej çdo natë BBC-ja; mësohej respekti për tjetrin si të ishte leximi i abetares; na jepej shembulli që mund të dashuroje e të ishe i lumtur në çfarëdolloj moshe; edukoheshim me detyrën e ndershmërisë e të besnikërisë; betoheshim të mos qëndronim indiferentë ndaj padrejtësisë e dhunës, emocionoheshim pa hile.

Shpirti artist i sime mëje dhe romantizmi djaloshar i tim eti, ishin universiteti ynë i emocioneve… «Qyqja!» – deklamonte ime më, dhjetra herë në ditë, për të na lajmëruar një emocion të ri. Kurdoherë e sidoqoftë: «qyqja!». Aq sa, po të mos e kishe përballë e t‘i shihje shprehjen e fytyrës, nuk kuptoje nëse lajmëronte harenë, apo mënxyrën. «Qyqja!» – për të thënë «uaauu!!» ose «oboboo!!». «Qyqja!» – kur sapo kishte pikasur manushaqen e parë në oborr; «qyqja!» – kur sapo kishte parë njollën e parë në tavanin që pikonte. Unë e im vëlla, me zemër të ngrirë, linim çdo gjë që kishim në dorë e vraponim t’i shkonim pranë. Gjer ditën kur vendosëm t’i kërkonim të nuanconte klithmën. Por, meqënëse ishte artiste e vërtetë, nuk e ndryshoi kurrë. Dhe me «qyqja!» i rriti edhe fëmijët e mi të cilët, në pamundësi për të drejtshqiptuar emocionin artistik, i mbanin ison me një theks të çuditshëm, armeno-francez: «kukja, nana!» Krejt e kundërta e tim eti, që emocionet i shprehte fort, por butë. Fjalët i përzgjidhte ëmbëlsisht e intelektualisht; i pështillte me një romantizëm të dalë mode e t’i bënte dhuratë me atë zërin e ngrohtë, të sjellshëm, të gjithëditur… – Zonjusha Mima, shihemi tek lulishtja «Skandërbeg» pas 10 minutash? – ftesa e tim eti në telefon, asaj që do të bëhej, 3 muaj më vonë, zonja Markarian. Im atë punonte në Klinikën Qëndrore Dentare, ime më në Ministrinë e Ndërtimit.

Dy nga godinat rrotull sheshit «Skënderbej», në njërin skaj e tjetrin të një vije diagonale që kalonte, pashmangshmërisht, përmes lulishtes më simbolike të Tiranës. Lulishtja me shkallinat që të zbritnin buzë një shatërvani të thjeshtë e të paqtë, rrethuar me pisha kryelarta e gjelbërim të përkujdesur. – Ulemi në këtë stolin këtu? – Po, shumë mirë. – Zonjusha Mima, a pranoni të bëheni gruaja ime? – … – Nuk e dëgjova përgjigjen. – … – Ju shqetëson mosha ime e madhe?! Keni të drejtë, nuk janë pak 23 vjet diferencë… – Jo… Diferenca e moshës nuk më shqetëson fare. – Çfarë, atëherë? – … (O mam‘, fol, mos e torturo babin! – do t’i kisha thirrur, ndonëse ende e pangjizur.) Im atë ia mori dorën e majtë në të tijat. Pështeti faqen e tij në pëllëmbën e saj, që kishte filluar të dridhej… Ia përkëdheli, ia qetësoi, ia ëmbëlsoi. Ia puthi gjatë, thellë, ndershmërisht. Pastaj, u përkul e këputi një fije bari. – Hokis (shpirt – në armenisht), e kuptova që përgjigja nuk është «jo», sepse do të ma kishit dhënë në çast. Qenka një «po» e brishtë. Si kjo fije bari… – dhe ia lidhi fjongo rreth gishtit të katërt. – … – Nëqoftëse s‘ua thotë zemra, këputeni fijen e barit. S‘do të më mbetet hatri… Por, po pranuat të bëheni nusja ime, këtë fije bari do ta shndërroj në një unazë floriri, që të mos këputet kurrë! *** Ditën që mësova se si ia kishte kërkuar dorën im atë sime mëje, kuptova pse nuk kisha as më të voglin shans të isha «normale». Dhe aq më mirë!!

Nga Anissa Markarian.

A. M.© Tiranë, 4 korrik 2016.

Për më shumë ndiqeni Anissa Markarian në facebook në linkun e mëposhtëm :

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=1614172268895761&id=100009090106232

Continue Reading
Click to comment

Logohu për të komentuar Logohu

Përgjigju

Shënime

PËR TY, QË NUK I KUPTON ATA NGELËSIT NË SHESH – SE S’KE QENË KURRË STUDENT… OSE KE HARRUAR!

Published

on

By

dhjetori i dyte

Unë nuk jam student Dhjetori. As i Dhjetorit të famshëm të revolucionit të viteve 90, në të cilin luftohej për idealet e një shoqerie demoktatike me sytë nga perëndimi; as i këtij Dhjetori, ku si rrallë herë studentët u bënë protagonistë të një levizje anë e kënd vendit. Unë jam një student i zakonshëm i viteve mes dy Dhjetorësh. Megjithatë jam një student i dalë nga ky sistem arsimor, e si i tillë e di ç’do të thotë të studiosh në Shqipëri.

Prindërit e mi nuk e paten as mundësinë, as dëshirën të më dergonin të studioja diku jashtë. Ata në pamundësi për të studiuar vetë, si pasojë e sistemit ku jetuan dhe u formuan, ishin thjesht të kënaqur që unë do të ndiqja një cikël studimesh universitare për një degë të cilën e doja shumë; ishin krenarë për këtë. Duke qenë dy punëtorë të thjeshtë pa pushtet e pa ofiqe, përpiqeshin me ç’mund të më plotesonin nevojat e mia prej studenti. Nevojat konsistonin në veshmbathje, ushqim dhe libra. Le të themi që e përmbushin këtë të fundit – sepse librat e një cikli shkonin disa fish e rrogës mujore të tim eti. Por, unë si student disa i blija, disa i huazoja dhe disa herë kryeja vepren penale të vjedhjes së të drejtës së autorit me fotokopje. Nuk kisha deshirë të konsumoja një vepër penale, por isha i detyruar të fotokopjoja libra me çmime absurde, të cilat më së shumti konsistonin në google translate, bruto dhe të shëmtuar, disa here edhe të pakuptueshëm.

Prindërit e mi nuk e konceptonin fare se në Fakultetin tim studentët paguanin 300, 500 deri në 700 euro për një provim, ose një temë diplome. As nuk tentoja t’u tregoja sepse perveç faktit që nuk do më jepnin kurrë para për të marrë provimet, as nuk do t’i besonin këto tregime të cilat do t’i dukeshin si legjenda urbane. As unë faktikisht, si një konservatore tipike nuk do ta doja kurrë një notë të blerë. Ata as nuk e imagjinonin dot se si në rradhët tona në periudhë sezonesh, pranë pedagogëve të caktuar shkonin listat e formuve rinore partiake dhe fare lehtesisht merreshin jo vetem nota kaluese, por 10-ta të mirfillta. E kisha edhe unë mundësinë ta bëja këtë, jo duke aderuar gjëkundi në ndonjë forcë politike, por me njohjet në rradhët e studentëve. Por sërish me dukej vjedhje. Nuk mund të lejoja të kryeja një vjedhje tjetër veç asaj të autorit. Madje shumë e kisha edhe atë.

Me pagesën time mujore që merrja nga familja mund të jetoja, por nuk mbaronte me kaq. Kur je student duhet të vendosesh prioritete. Një nga këto është ku do jetosh. Cila do të bëhet shtëpiza jote e dytë për pak vite, ku duhet të mbushësh zbrazëtinë që të krijon jetesa pa prindërit dhe ti dalësh vetës për Zot. Qytet Studenti, korpusi i studentëve, i vetmi vend në Tiranë ku qyteti nuk fle kurrë, 24 orë. Së jashtmi çdo gjë duket në rregull. Gjelbërim, pastërti, bare, restorante menca dhe një biblotekë. Godinat më së shumti të krijojnë ndjesinë sikur je në një ambient të shëndetit mendor, por ok, do kalojë kjo ndjesi kur t’a shoh përditë si pamje.

Brenda…problemet fillojnë me ndarjen nëpër dhoma. Nëse do të jetosh me dy persona të tjerë dhe jo me 3-4, është një pagesë e detyrueshme (e pashkruar), të cilën ja jep kujdestares/it të konviktit. Kështu ajo do të japë komoditetin që në një dhomë maksimumi 20 metër katrorë të jetoni VETEM 3 veta. Në rast se ti do që në dyshekun tënd të mos gjesh shenja ndotjesh të mëparshme, pagesa rritet. Por në rast se ti kërkon që vjedhurazi të fusësh edhe ndonjë ngrohëse në dhomë, pagesa s’do mend që bëhet me e madhe. Vjedhurazi! Kaluam te vjedhja e dytë e detyuar. Them e detyruar sepse konviktet kanë një sistem kaldaje të instaluar që në kohën e xhaxhit Enver, i cili nuk ndizet kurrë, realisht KURRË. Ok, e rregulluam edhe këtë. Do ngjisësh ndonjë letër me ngjyrë përqark krevatit që gëlqerja e lyer dosido gjatë verës, mos të të përlyejë rrobat; do marrësh ndonjë perde dhe tapet nga shtëpia që edhe brenda të mos ndihesh vërtet sikur je në një institut të shendetit mendor – dhe le të themi që do jesh mirë. Por s’mbaron me kaq.

Duhet të lutesh të kesh fatin e mirë që individët që ti ndan hapësirën tënde prej maksimumi 20 metra katrorë, të jenë të mirëkuptueshëm. Njëri prej tyre mund të dojë të lexojë natën, ka vetëm një dritë. O fikur – o ndezur! Njëri mund të dojë të shkojë në tualet i cili është i përbashkët për gjithë katin. Do vishet mirë e mirë se në korridor bën ftohtë, madje do veshi këmbët se me shapka nuk shkon dot në një banjo turke. Do eci disa metra deri sa të arrijë te 6 tualetet e përbashkët të gjithë katit me mbi 20 dhoma.

Të mos flasim për dushet, të cilat janë me orar, 8 orë në ditë; dhe vetëm një kat ka dushe. Pra le të themi që nëse nuk je njeri pastërtor nga natyra e të zësh rradhë, ose nuk je trim mjaftueshëm të rrahësh të gjithë ata që duan të lahen para teje dhe të të mbarojnë ujin e ngrohtë, ti fare mirë mund të qelbesh… Ky është Qytet Studenti, ku le ta pranojmë, kushtet janë të mira, se nëse shkon te konviktet e Arkitekturës, Inxhinierisë së Ndërtimit, apo ata të Mjeksisë, pyetja që të vjen natyrshëm është: Si nuk sëmuren këta njerëz?!

Instikitivisht fillon të interesohesh për jetën e miqve të tu që jetojnë me qera. Disa studentë bëhen bashkë, kontraktojnë një shtëpi dhe jetojnë aty…kryesisht me kushte minimale. Disa herë shumë më keq se në konvikt, por me tualet brenda. Më së shumti studiojnë poshtë batanijeve, sepse është shumë veshtirë të mbash një shtepi dhe fatura dritash uji dhe shërbimesh të tjera, me të njëjtat çmime si për të gjithë qytetarët e Tiranës. Pra zgjidh shpejt: tualetin apo ngrohjen. Vendose çfarë do mbash? Jo, jo, nuk e duroj dot të ftohtin me mirë po mbaj konviktin, pastaj banjës varja. Do shkoj më rrallë. Do përdor tualetet e lokaleve. Po rri aty ku jam. Do heq dorë nga frekuentimi normal i tualetit.


Për të shkuar në shkollë të duhet të marrësh autobuzin, i cili është i tejmbushur. Njerëzit, disa ulur, disa ngjitur me njeri-tjetrin, disa me fytyrën ngjitur te xhami, shohin të gjithë – të gjithë me urrejtje. Po ç’faj ka ai tjetri po ta mendosh? Do të shkojë në punë ose në shkollë me autobus. Do të përdori transportin publik. Pse e urren? Nuk je ti pronari i autobuzit. Mbaj vendin tënd, jep ato lekët aty dhe mos mendo. Ok, paguani njësoj si ai që është në punë, si ti që po sfilitesh t’ja arrish asaj dite po ç’rendësi ka. Mbase të vjen ta urresh se kështu si e ke nisur ti hajde ta mbarosh këtë shkollën e të zësh punë. Mbase do punën e këtij zotërisë përballë. Por s’ke për t’ja marrë, kaq ta bësh dhëmbin! Urreje sa të duash. Madje-madje, ti e urren se ai po paguan njësoj sa ty që je student. Sepse abone studenti ka, ato pak që janë, po hajde të gjesh mik e të blesh një abone studenti pa rradhë. Vepër penale prapë! S’tu ndanë këto. Ose mbase e urren sepse ai ndoshta ja ka arritur të gjejë një abone studenti dhe po e përdor ne syrin tënd në vendin tënd. Dera hapet, ti zbret dhe e gjithë urrejtja të zhduket si me magji. E kishe urryer se ishe shumë ngushtë, po asfiksoheshe në autobuz; dhe s’kishe as ku të mbaheshe. Arrite në shkollë, varja këtyre mendimeve…

Në shkollë problemet e studentëve nisin që me sekretaret, GJITHMONË harbute dhe të paafta. Si ka mundësi? Është e vetmja gjë që në çdo Fakultet është njësoj. Me siguri militante partie; ose thjesht injorante me miq; ose-ose dinë të bëjnë shumë mirë sekseren. Sepse sekretaret bëjnë kërdinë me zarfe. Të gjitha keto ti i di, por gjithmonë u drejtohesh duke buzëqeshur me shumë kulturë, kur ke ndonjë pyetje për to.


Koha e universitetit është një periudhe në jetë kur ti rritesh në të gjitha drejtimet. Kur ti njeh pedagogë që i admiron e nuk ngopesh së dëgjuari dhe nuk gjen vend ne auditor për ta. Njeh dhe invididë që nuk ja kanë haberin, por janë shumë të bukura, ose bija të ndokujt, ose të rëndësishëm në vend, ose nuk e di… Nuk gjej arsye logjike për disa të tjerë. Shpesh here përfundon edhe pa mësim, mbase s’ka klasa, mbase bën ftohtë në klasë, ose mbase shumë thjesht pedagogu mungon pa tu detyruar një shpjegim. Kush je ti fundja?

Në Universitet je gjithmonë i shtypur. Ke marrë një ose disa nota më pak se meritoje? Kujt ja ndjen? Të kanë ngatërruar datën e provimit? Hall i madh! S’të pëlqen literatura që të japin? Kush të pyeti? Në çdo rast je një hiç. Kështu që përpiqu të vjedhësh sa më shumë dije kur mundesh dhe kaq. Bëj maksimunin për të lexuar/debatuar/kuptuar. Jep më të mirën në provime. Kaq! Kjo është detyra jote.

Në përfundim të studimeve të mia, nga profili që ndoqa në master u zgjodhën 10 studentë – më të mirët na thanë – mes të cilëve dhe unë, për të ndjekur praktikën pranë një institucioni me peshë në vend. Nuk e di mbi ç’baza u bë përzgjedhja, por mbi mesataren jo njëherë. Po të ishte ashtu, emri im nuk figuronte gjëkundi. Kisha shumë me medalje ari dhe argjendi para meje, bij e bija të dikujt, studentë me para dhe një fare statusi në shoqëri, jo student anonim si un. Por dikush diku në staf kishte qenë idealist e ëndërrimtar si unë dhe emri im bashkë me 9 të tjerë u përzgjodh ndër studentët më të mirë.


Në praktikë sigurisht që nuk mësuam ASGJË sepse asnjë punonjës shteti nuk kishte nerva e nge, por edhe në kafenetë rreth institucionit në përpiqeshim të ndiheshim të vlerësuar. Im atë u ndje krenar, shumë krenar pa dyshim. Në mendjen e tij e bija po pervetësonte shumë. Për të nuk isha një gdhë siç e konsideroja unë veten, sepse rruga e dijes më dukej e pafund. Sepse në Universitet ishim të gjithë një tufë me idealistë revolucionarë që do bënim namin, por jashtë saj ishim një hiç.
Kështu pra unë u diplomova dhe mbeta pa punë aq kohë sa e gjeta dhe unë një mik si tërë dynjaja për tu futur diku. Mos! Një tjetër VEPËR PENALE e detyruar Por nuk kisha rrugë më të mirë. Universiteti na kishte nxjerrë pa përvojë, pa praktikë, pa asnjë formësim konkret veç atij akademik të librave (jo atyre Google translate). Shkolla nuk kishte asnjë marrëveshje me asnjë institucion privat ose publik për punësimin tonë. Dhe nëpër intervista pune të gjithë kërkonin eksperiencën, atë që asnjë 23 vjecar s’mund ta kishte të mirëfillte.

Sot jam me studentet, edhe pse kam vite të tëra që më ndajnë nga ajo ditë diplomimi. Por kur për nostalgji kthehem në Universitet ose në Qytet Studenti, asgjë nuk ka ndryshuar. Ato pak minuta mua me duket se dhe unë nuk kam ndryshuar, jam njësoj si para kaq vitesh. Më përfshin nostalgjia dhe malli. Pastaj më krijohet si panik, më mblidhet një si lëmsh në fyt, dhe dal me shpejtësi nga aty, para se të ulëras, se ç’dreqin bëhet me ato miliarda para që mblidhen çdo vit nga studentët. Nga im atë, nga yt atë. Ku dreqin shkojnë që asgjë nuk ndryshon? Pse nuk del dikush i çmendur sa unë dhe ta kërkoje këtë gjë?


Deri sa dëgjova për protestën kjo pyetje më lindte shumë shpesh, gati përditë. Derisa një ditë pashë një tufë studentësh nga Tirana, pastaj më shumë, pastaj të tjerë nga gjithë Shqipëria, që bënin të njëjtën pyetje si unë, dhe mu bë zemra mal. Ne jemi këtu, po kërkojmë po luftojmë për atë që na takon. Kjo është mrekullia e këtyre 28 viteve demokraci. Kjo është gjëja më e bukur që ka ndodhur. Ju nuk na shtypni dot më, kushdo qofshi ju! Prandaj i mbështes këta studentë delinkuentë, që vjedhin të drejtën e autorit, ndonjëherë japin para për të marrë atë që u takon, dhe dalin nga ky sistem të detyruar për t’u transformuar më shumë, në luftë për të mbijetuar.
Unë i dua këta student, këtë protest, dhe jam krenare që po bëjnë diçka që unë dhe brezi im i parëndësishëm për t’u kujtuar, nuk e bëra dot. I mbështes në çdo kërkesë që kanë se gjej veten njësoj si dje, njësoj si nesër me fëmijët e mi. Një shoqëri nga themelet mund ta tundi vetëm rinia, dhe një Universitet më të mirë mund ta bëjnë vetëm studentet!

Continue Reading

Shënime

“Mëngjesi i një femre metropolitane”

Published

on

By

tirana

Bie zilja e alarmit për të 700 miliontën herë.

Mbasi i ke bërë “snooze” 699 herët e tjera, çohesh se s’ka lezet! S’u mësove që s’u mësove me këtë dreq orari! S’është aq herët, po ç’rëndësi ka kjo! Organizmi yt ka nevojë për 10-11 orë gjumë, teksa ti as 6 orë s’ke bërë.

Grindesh me veten e shfryn për kotësinë e nisjes së punës në ora 9. (Të tjerët e nisin në 8.00, por nuk është ky thelbi). Si në jerm, mbaron punët e vogla të mëngjesit; sytë, dhëmbët, kontrollon puçrat e reja që të kanë dalë, i hedh një sy flokëve në ç’gjendje janë, bën shpejt e shpejt tualetin.

Penelin s’e ke bërë aq drejtë sot dhe make-up-i nuk është përhapur mirë. S’ka gjë se do i rregullosh në zyrë, s’ka kohë tani.

Vë pak hekurin se bluza që do veshësh ka ca rrudha. Në fakt ka plot rrudha, po ja do e shtypësh pak shpejt e shpejt dhe s’do duket. Se ç’mund të shypësh për fiks 5 minutat që ke në dispozicion, ky ende mbetet mister. Gjithsesi ti përpiqesh.

“E pse? Shumë mirë duket!”- i mbush mendjen vetes. Është skandal me zhubra me thënë të drejtën, por le të themi se duket “sikur je mbështetur diku”. E vesh se s’mund të bësh naze, jo sot! Ajo mami e qan hekurin, një herë i shkon sipër dhe akull rrobat.

Kujtohesh që çanta e djeshme nuk shkon me këto rroba që ke veshur sot. Oh Zot, po të kap paniku! E zbraz mbi krevat siç është, merr çantën e bardhë dhe fut rrëmujë ç’të të kapë dora! S’të premton koha të shikosh çfarë ke tepër. S’të gjeti gjë se i mbajte edhe sot!

Ke një jetë që i ngre çdo ditë, sot bën sikur bezdisesh nga pesha e tepërt. Shikon orën, duhet të ishe duke mbyllur derën tani. S’po di cilat këpucë të veshësh… Apo do veshësh fare sandale? Me takë? Pa takë? Ato blutë janë hapur, s’vishen dot. Të zezat i kanë takat e prishura. Të kuqet nuk shkojnë. Ngelin vetëm të sheshtat. Je 3 minuta me vonesë. I vesh shpejt e shpejt.

Nëse vrapon, mund të arrish në stacion në orar. Kërkon çelësin për të mbyllur derën, por s’po e gjen gjëkundi në rrëmujën e çantës. “Pse? Pse? Pse?”

Edhe universin duket sikur e ke kundër sot (gjithmonë në fakt, se gjithmonë je vonë). Më në fund çelësi del. Mbyll me zhurmë derën, zbret me vrull shkallët. “Hë se e kap autobuzin”-i thua vetes.

Del në rrugë duke hedhur pak parfum te kyçet, te qafa, pas veshëve. Për pak rrëzohesh, ngaqë të ngatërrohen këmbët. Shan me vete veten, kur papritur të vjen si rrufe dyshimi “A e hoqa hekurin nga priza apo jo?” Përpiqesh ta kujtosh atë moment, por hiç. Çdo gjë është e fshirë në kujtesën tënde.

Teksa ke ndaluar në rrugë, duke arsyetuar se çfarë të intereson më shumë: Të nxitosh për në stacion se mund ta kapësh autobuzin e punës, por do torturohesh gjithë ditën nga dyshimi se ke lënë hekurin në prizë dhe mund t’i vesh flakën shtëpisë që për më tepër nuk është as e jotja, apo të kthehesh e të kontrollosh. Në këtë rast me siguri do ikësh me taksi, ama do jesh e qetë.

“Kot më fiksohet, se gjithmonë e heq atë dreq hekuri” mendon. Menjëherë truri të mbushet me imazhe flakësh, zjarrfikësish… Varja! Kthehesh me vrap në shtëpi. Me një frymë kthehesh te priza, e hequr. Ptu! U ktheve kot. Prapë me vrap, mbyll derën, zbret shkallët, del në rrugë dhe pas të ndjek zhurma e frikshme që bën Kur vrapon. Ai burri që rri gjithë kohën në bilardo të sheh i tromaksur, 2 pensionistë tremben kur u kalon afër aq vrullshëm, një nënë me fëmijën të shohin gjithë habi teksa dëshpërimisht përpiqesh të vraposh sa më shpejt.

S’ke kohë të mendosh si dukesh (me siguri dukesh si e lajthitur) sepse je me 12 minuta vonesë. Shpreson që autobuzi të ketë ngecur në trafik, ta ketë ndaluar polici a ku di unë, vetëm e vetëm që të jetë me vonesë. Arrin. Qull në djersë, nuk mbushesh dot me frymë. Në stacion asnjë këmbë njeriu i njohur. Vetëm dy studentë dhe një grua. Kolegët kanë ikur. Fillon mallkon, gjithë jetën me vrap, gjithë jetën duke nxituar, s’u bërë një herë njeri, gjithë kohën si fortunë! Papritur bie telefoni. Është mami. Flisni gjithmonë para se të nisesh për në punë. Është bërë merak që s’e ke marrë. I shpjegon situatën dhe tani të duhet të durosh edhe mamin që vazhdon me teorinë që duhet të ngrihesh që në 6.30 për t’u bërë gati me terezi, që rrobat hekurosen që në mbrëmje etj etj.

“O ma e di vetë kur do ngrihem nga gjumi”. Mbyll telefonin dhe hap sytë për një taksi deri në urën e Kasharit. Iku 20 mijë lekshi për sot. Ai hekuri e ka fajin, do ishe në autobuz tani po të mos ishe kthyer mbrapsht! Ti dhe fiksimet e tua!

Hap whatsapp-in dhe lajmëron kolegen: “Zemra po vij me taksi vonohem 5 minuta”

Continue Reading

Shënime

Një mendim objektiv për Elvanën, nga një shikues indiferent !

Published

on

By

Elvana Gjata duke perfomuar ne kengen me titull Xheloz

Tani që ka kaluar më shumë se një javë nga ngjarja e bujshme në bllok, ku ende asgjë nuk dihet se pse dhe si ka ndodhur, nuk e di pse nuk qëndroja dot pa komentuar edhe unë. Pa iu futur thelbit të ngjarjes, që tregon shumë për gjendjen në Shqipëri, po përqëndrohem edhe unë tek pjesa më e parëndësishme e gjithë kësaj: Elvana Gjata.

Dikush turret ta shajë, se “kështu është kur ngatërrohesh me çuna me lekë jo të pastra” dhe “ja cili na qenka burimi i jetës luksoze të këngëtares që hahej kokë më kokë me Beyonce-n nëpër suitat e hoteleve më të mira të Europës”. Pati edhe nga ata që u sulën ta mbrojnë, se “Elvana është një këngëtare e mrekullueshme, që s’ka nevojë ta mbajë njeri se e mban vetë veten me muzikën që bën dhe se ngjarja nuk ka si ta prekë në asnjë mënyrë”.

Personalisht, nuk mendoj se Elvana është këngëtare e mrekullueshme. Më ka pëlqyer stili i saj, që gjithmonë ka tentuar të përafrojë në momente të ndryshme herë me JLo, herë me Rihanna-n (s’e di a e mbani mend gjysmën e buzës lart të Elvanës në sesionin akustik të shumë viteve më parë). Ka qenë për një kohë të gjatë bashkëpunëtore e ngushtë me një prej kompozitorëve më të mirë në Shqipërinë moderne.

Le të themi që është treguar e zgjuar. Kjo është meritë. Ngjarja e ndodhur mendoj se do ketë impaktin e vet tek ajo si këngëtare. Madje besoj se për disa kohë nuk do duket fare në treg (dhe mirë do bënte!) Kjo vlen veç për anën artistike të saj. Përsa i përket jetës private, jam e bindur që jeta e Elvanës do vazhdojë të jetë përsëri luksoze, edhe nëse s’do ketë të njejtin biznesmen në krah. S’më duket e arsyeshme që dikush të dalë e ta mbrojë (ta mbrojë për çfarë?) apo ta promovojë si model për t’u ndjekur (?).

Njësoj e paarsyeshme më duket ta kryqëzojnë (kryqëzojnë për çfarë?). Është thjesht një vajzë si shumë të tjera në Tiranë, që momentalisht ka detyrimin të dëshmojë. Kështu që boll na e bëtë Elvanën heroinë/viktimë dhe ju të tjerët boll vollët vrerin e akumuluar nga jeta!

PS: Di gjë njeri çfarë bëhet me Xhisielën?

©loveinalbania

Continue Reading

Në trend