Lidhu me ne

Të famshëm

The Weeknd vazhdon të jetë i dashuruar pas Selena Gomez ?!

Published

on

selena dhe weeknd

The Weeknd ka nxjerrë në shitje albumin e tij të ri  ” My Dear Melancholy”.

Albumi përmban gjashtë këngë dhe mund të dëgjohet në YouTube dhe shërbime të ndryshme muzikore.

Ky album vjen pas suksesit të vitit 2016  me “Starboy”, album i cili u shit në miliona kopje.

Këngët e këtij albumi e rikthejnë këngëtarin në rrënjët e tij të vjetra RnB.

Në dy prej këngëve të “My Dear Melancholy” ka bashkëpunuar me Gesaffelstein si dhe prodhuesit e Guy-Manuel de Homem-Christo e Daft Panka, Skrillex etj.

Por ajo ç’ka tërhoqi vëmendjen e fansave ishte kënga  “Call Out My Name” i cila mendohet se The Weeknd ja ka dedikuar ish të dashurës së tij Selena Gomez.

Në fakt, në këngën “Call Out My Name”, në pjesë të tekstit këngëtari thotë “Pothuajse kam prerë një pjesë të vetes sime për jetën tënde”,  si një referencë për transplantin e veshkës së këngëtares, të cilin ia dhuroi mikesha Frances Rais.

The Weeknd nuk ka harruar as modelen Bela Hadid teksa mendohet që këngën “Wasted Times” ja ka kushtuar asaj.

Continue Reading
Click to comment

Logohu për të komentuar Logohu

Përgjigju

Të famshëm

Intervistë me Woody Allen: “E gjitha është tragjike”

Published

on

By

interviste me woody allen

 -Z. Allen, vërtetë mendoni se lumturia në jetë është e pamundur?

Ky është këndvështrimi im dhe gjithmonë ka qenë këndvështrimi im mbi jetën: i errët dhe pesimist. Kështu ka qenë që kur kam qenë i vogël; nuk është se është përkeqësuar me kalimin e viteve apo ku di unë. Unë jetën e ndjej si një eksperiencë të dhimbshme, të errët, plot makthe dhe të pakuptimtë. Mënyra e vetme për të qenë i lumtur është t’i tregosh vetes disa gënjeshtra dhe ta mashtrosh.

-Besoj se shumë njerëz nuk do binin dakord me ju…

Nuk jam i vetmi që e them këtë. As më i artikuluari. E ka thënë Nietzsche, e ka thënë Freud, e ka thënë Eugene O’Neill. Për të jetuar njeriu duhet të ketë deluzione. Nëse e sheh jetën qartë, ashtu siç realisht është, ajo bëhet e papërballueshme sepse duhet ta pranojmë, është një ndërmarrje e errët.

-E kam pak të vështirë ta imagjinoj Woody Allen të ketë një jetë kaq të vështirë…

Unë kam qenë me shumë fat sepse talentin tim e kam shndërruar në një jetë produktive për mua. Ama nuk jam i mirë në asgjë tjetër. Nuk jam i mirë në përballimin e jetës, as në gjërat e vogla. Gjërat që për shumicën e njerëzve janë si lojëra fëmijësh, për mua janë trauma.

-Mund të jepni një shembull?

Chek-in-i në aereoport ose në hotel, marrëdhëniet e mija me njerëzit e tjerë, një shëtitje në këmbë, shkëmbimi i gjërave në dyqan (paratë me objektet)… Që 16 vjeç punoj me të njejtën makinë shkrimi. Duket ende si e re. Të gjithë filmat e mi janë shkruar me atë makinë. Deri tani vonë nuk mund ta ndryshoja vetë bojën. Ka pasur raste kur ftoja njerëz për darkë thjesht që më pas të më ndërronin bojën. Kjo është tragjike!

-Nuk keni besim tek gjërat e mira në jetë?

Jeta është plot me momente të mira: të fituarit të një llotarie, të shohësh një femër të bukur, një darkë e shijshme- por e gjithë gjëja është tragjike! Sepse është thjesht një oaz shumë i këndshëm. Le të marrim një film si ai i Bergman, “The Seventh Seal”. Ky është një film për një tragjedi të mrekullueshme. Ka një moment kur personazhi ulet me fëmijët duke pirë qumësht e duke ngrënë luleshtrydhe të egra. Më pas ky moment i mrekullueshëm kalon dhe ti kthehesh tek ajo çfarë ekzistenca është në të vërtetë.

 -A jeni njësoj pesimist për dashurinë?

Njeriu varet nga fati më shumë se sa ai mendon. Njerëzit thonë se nëse do të kesh një marrëdhënie të mirë, duhet të punosh për të. Ama këtë gjë s’e dëgjon të thuhet për të parit e një ndeshjeje futbolli, apo për të shkuarit në lundrim. Nuk thua kurrë: Duhet të punoj për këtë! Ty thjesht të pëlqen, e do. Nuk mund të punosh e të përpiqesh në një marrëdhënie, nuk mund ta kontrollosh atë! Duhet të jesh me fat teksa jeton jetën tënde. Nëse nuk je me fat, atëherë duhet të jesh i përgatitur për disa shkallë vuajtjeje. Ja pse shumica e marrëdhënieve janë shumë të vështira dhe kanë disa shkallë dhimbjeje. Njerëzit qëndrojnë bashkë për inerci, sepse nuk kanë fuqi të jenë vetëm. Qëndrojnë bashkë sepse kanë frikë të mbeten vetëm, ose sepse kanë fëmijë.

 -A mundet një mashkull të dashurojë dy femra njëkohësisht?

Më shumë se dy. (Qesh) Unë mendoj se mundet. Ja pse dashuria është një gjë e vështirë dhe e dhimbshme, një gjë shumë e vështirë, shumë e komplikuar. Ti mund të jesh me bashkëshorten tënde, lumturisht i martuar, dhe pastaj takon një grua tjetër dhe e dashuron. Por dashuron dhe bashkëshorten, gjithashtu. Nga ana tjetër do edhe gruan që ke takuar së fundmi. Ose mund të ndodhë që ajo ka takuar një mashkull që e do, por të do edhe ty. Më pas mund të takosh dikë tjetër dhe bëhen 3 gra tashmë që ti dashuron. Pse vetëm një njeri?

-Gjërat mund të komplikohen nëse dikush ndjek këshillën tënde…

E rëndësishme është të mundesh ta kontrollosh veten sepse nëse nuk ia arrin, jeta të komplikohet shumë. Ama impulsi, shtytja qëndron aty brenda për të gjithë. Ka nga ata që thonë se shoqëria duhet të jetë më e hapur. Sepse ndryshe nuk funksionon. Unë e shoh si një situatë ku në çdo rast veç humb. Nëse shkon me gruan tjetër, është situatë ku ti humb, sepse nuk është mirë për marrëdhënien apo martesën tënde. Nëse martesa jote është e hapur dhe ti mundesh ta bësh këtë gjë, prapë nuk është mirë. Në fund s’ka asnjë mënyrë tjetër për të qenë i lumtur veçse të jesh me fat, me shumë fat.

-A ju ndodh të qani ndonjëherë?

Qaj gjithmonë në kinema. Është i vetmi vend ku qaj, sepse kam probleme me të qarët. Tek “Hannah and her sisters” ishte një skenë ku supozohej të qaja. Ata tentuan gjithçka por më kot sepse ishte e pamundur. Më hodhën pluhur në sy dhe prapë s’mund të qaja. Ama në kinema mekem. Është magjike. Është i vetmi vend ku qaj. Nuk qaj kurrë në teatër dhe thuajse kurrë në jetë.

 -Më parë luanit thuajse në çdo film tuajin, por me kalimin e kohës dukeni gjithmonë e më pak në to. Pse?

Vetëm sepse nuk ka patur një rol të mirë për mua. Për vite të tëra kam luajtur rolin kryesor romantik. Nuk mund të luaja më sepse u plaka. Nuk është fare argëtuese të mos luash djalin që bën për vete vajzën kryesore. Mund ta imagjinosh sa frustruese është kur unë bëj filma ku luajnë Scarlett Johansson apo Naomi Watts dhe dikush tjetër është ai që i josh, teksa unë thjesht drejtoj. Unë jam ai plaku që drejton. S’më pëlqen kjo. Do doja të isha ai që ulet përbalë tyre në restorant, që i sheh në sy dhe i gënjen. Nëse nuk bëj këtë pjesë, atëherë nuk dua të luaj më fare në një film.

-Si ka ndryshuar “çak”-u yt me kalimin e viteve?

Për mua mendoj për keq. S’ka asnjë avantazh në të qenurit plak. Nuk bëhesh më i zgjuar, as më i mençur, as më i butë, as më i sjellshëm. Shkurt asnjë ndryshim i mirë nuk ndodh. Kurrizi të dhemb më shumë, ke më shumë probleme me tretjen, më shumë probleme me shikimin, ke nevojë për aparat dëgjimi. Të plakesh është një gjë e keqe dhe të këshilloj ta evitosh nëse mundesh. Nuk është se ka ndonjë cilësi romantike plakja.

-Do ndalosh ndonjëherë së bëri filma?

Unë thjesht e shijoj punën. Ku tjetër mund ta zhvilloj ambicien time? Si artist, ti je gjithmonë duke rendur pas një përmbushjeje të caktuar që duket se nuk do e arrish kurrë. Xhiron një film dhe rezultati mund të kish qenë gjithmonë më i mirë. Ti përpiqesh prapë, prapë dështon. Në një farë mënyre, më kënaq kjo pjesë. Sepse asnjëherë nuk e humb fokusin nga qëllimi yt. Unë nuk punoj që të fitoj para, thjesht provoj gjëra të reja. Çfarë do ndodhte nëse në një pikë të caktuar të arrija perfeksionin? Çfarë do bëja pastaj?

(“The Talks”)

©loveinalbania

Continue Reading

Romancë

“Të dua Kukulla ime” – Historia e dashurisë së Alain Delon me Romy Schneider

Published

on

By

Alain Delon me Romy Schneider

“Të shoh teksa fle. Jam pranë teje. Mban veshur një tunikë të gjatë, të zezë me të kuqe, me qëndisje në krahëror. Duhet të jenë lule besoj, por nuk i shoh. Po të jap lamtumirën, lamtumirën më të gjatë nga gjithë lamtumirat, Kukulla ime. Kështu të thërrisja, “Kukulla ime e vogël”. Nuk i hedh sytë nga lulet, por mbi fytyrën tënde dhe mendoj sa e bukur je, mbase nuk ke qenë kurrë kaq e bukur sa sot. Për herë të parë në jetën time (dhe në jetën tënde) të shoh të qetë, në paqe. Sa e qetë je, sa e bukur je. Duket sikur një dorë ka fshirë ëmbëlsisht të gjitha ankthet nga fytyra jote. Të shoh teksa fle, thonë se ke vdekur. Mendoj për ty, për mua, për ne. Cili është faji im? Të gjithë e bëjnë një pyetje të ngjashme kur ndodhen para gruas që kanë dashur dhe dashurojnë akoma.”

Nis kështu një nga letrat më të bukura të dashurisë që janë shkruar ndonjëherë. Ironik është fakti se për marrësen e kësaj letre, ishte hera e parë dhe e fundit. Ajo kurrë nuk e lexoi.

Dërguesi ishte Alain Delon, i cili joshte dhe kaq. Femrat binin në këmbët e tij si miza, ndërsa ai, me një fytyrë ëngjëllore: sy të akullt dhe buzëqeshje magjepsëse, sapo mërzitej me to, i braktiste maksimumi me një pusullë.

Është 29 maji i vitit 1982, kur Romy Schneider, e njohur nga publiku për rolin e Princeshës Sissy, sapo është shuar në Paris, për shkak të një arresti kardiak.

Fillimisht u mendua se aktorja kish vrarë veten, pasi e konsideronte jetën të padurueshme dhe të kotë. Një vit më parë kishte humbur djalin e vetëm, David, i cili kish mbetur i vrarë teksa kalonte kangjellat e shtëpisë së gjyshërve. Në atë kohë ai ishte vetëm 14 vjeç. Nga kjo tragjedi, Romy nuk e mori kurrë veten. Çdo mbrëmje qëndronte në sallon duke dëgjuar muzikë. Ishte mënyra e saj për të qëndruar vetëm me kujtimin e djalit të saj të ndjerë.

Ditën kur u gjend e vdekur, Alain Delon shkon menjëherë në banesën e saj. Kërkon të qëndrojë vetëm. Qan si fëmijë, i shkrep 2-3 foto (që siç deklaron vetë aktori, do t’i mbajë gjithmonë me vete në portofol) dhe më pas largohet. Nuk shkon në funeral, por një ditë më vonë, do qëndrojë për orë e orë të tëra i ulur në varrin e saj. Një lamtumirë e dhimbshme.

U njohën në set, në vitin 1958, por nuk qe dashuri me shikim të parë.

“Teksa ti vije nga Viena, unë të prisja në aereoportin e Parisit me një buqetë lulesh, buqetë që as nuk dija ta mbaja si duhet në duar. Producentët më kishin thënë “Sapo të zbresë nga avioni, shko afrohu dhe dhuroji lulet”. Prisja me to në duar si idiot, mes një ushtrie me fotografë. Ti zbrite, unë t’u afrova. I the nënës tënde “Duhet të jetë Alain Delon, partneri im në filmin e ri”. Kaq. Asgjë tjetër. Asnjë rrufe në qiell të hapur. Pastaj shkova në Vienë, atje ku do xhirohej filmi. Pikërisht atje u dashurova çmendurisht me ty. Ti u dashurove me mua. O Zot i madh, sa të rinj ishim, sa të lumtur ishim. Më pas jeta, ajo që nuk i takon askujt tjetër veç teje dhe meje, ajo na ndau!”

Romy është e famshme dhe e pasur, Alain një yll premtues i kinemasë. Në vitin 1959 shkojnë të jetojnë në Paris, në një shtëpi të madhe, ku qeranë e paguan ajo. Marrin pjesë nëpër festa mondane, fotografët i ndjekin nga kudo. Bëhen miq të ngushtë me Luchino Visconti, babain artistik të Alain Delon.

Në 1960 Alain vendos të zyrtarizojë marrëdhënien e tyre duke i dhuruar Romy-t të tij të dashur një unazë. Martesa nuk bëhet kurrë. Ai bën gabimin më të madh të jetës së tij: në kulmin e karrierës, magjepset nga Francine Barthelemy (për miqtë Nathalie), një 22 vjeçare misterioze dhe rebele. Kështu papritur, nga njëra ditë në tjetrën, ai braktis Romy-n e tij, merr avionin dhe ikën larg. I lë një pusullë, në një buqetë trëndafilash “Më vjen keq. E di që do të të bëja të palumtur. Po iki në Meksikë me Nathalie. Të uroj gjithë të mirat.”

Rrugët e tyre ndahen, por jo me të vërtetë. Do të luajnë së bashku në filmin “Pishina” (1968), të Jacques Deray.

Pas vdekjes së djalit të saj të vetëm, Alain do t’i qëndrojë pranë më shumë se askush tjetër. Të destinuar për të mos përfunduar bashkë, por të lidhur nga një ndjenjë e veçantë, e papërsëritshme, e pafundme.

Shumë të bukur, të bukur e të mallkuar, bënë të ëndërronin breza të tërë. Mjaf të kujtosh fotot e dashurisë së tyre, që janë ndër më të shkarkuarat në instagram.

“Kukulla ime, të vështroj përsëri e përsëri. Dua të të mbys me vështrime. Pusho tani. Unë jam këtu, pranë teje. Kam mësuar pak gjermanisht falë teje. Ich liebe dich. Të dua. Të dua Kukulla ime.”

Sot, Alain Delon është 82 vjeç dhe jeton i veçuar, jashtë vëmendjes së publikut i rrethuar nga ngrohtësia e qenve të tij të dashur. I vetëm, me një divorc mbi shpatulla dhe një numër të pafund lidhjesh të përfunduara keq, aktori më i dëshiruar i botës, ka hesape të pambyllura me depresionin dhe vitet që duke kaluar, vetëm i marrin dhe nuk i japin më asgjë.

I dashur Alain,

Ajo, Romy, Kukulla jote, është gjithmonë aty me ty. Dashuritë si kjo, ato që të lenë në gojë shijen e hidhur të fjalisë “Çfarë do të ndodhte nëse…”, janë të destinuara të zgjasin për gjithë jetën. Këto janë ato lloj dashurish që nuk na lenë kurrë.

|LOVE IN ALBANIA|

Continue Reading

Romancë

Vita West – Shkrimtarja e dashuruar me të famshmen Virginia Woolf

Published

on

By

westwoolf

Virginia Woolf ishte një figurë e afirmuar e modernizmit, kur ajo takoi shoqen e saj shkrimtare Vita Sackville-West, në 1922. Woolf vinte nga një familje me lidhje të forta me botën artistike dhe intelektuale angleze. Mamaja e saj, Julia Jackson, kish qenë modelja e shumë artistëve të shekullit të 19, kryesisht e fotografëve dhe piktorëve më të mirë. Në vitin 1912 ajo ishte martuar me shkrimtarin Leonard Woolf, më i varfër se ajo vetë. Përpos problemeve të shëndetit mendor dhe lidhjeve të saj jashtëmartesore, martesa e tyre gjithmonë është konsideruar një martese e lumtur.

Vita Sackville-West ishte e dashura më e famshme e Virginia Woolf. E rritur në një familje aristokrate, Vita u martua me shkrimtarin dhe politikanin Harold George Nicolson. Çifti, të dy biseksualë, kishin një martesë të hapur dhe Vita preferonte më shumë shoqërinë e femrave.

Kjo letër shpreh thellësinë e ndjenjave dhe intensitetin e afrimit të saj me Virginia Woolf.

“Jam kthyer në një objekt që do Virginia-n. Mendova një letër të bukur për ty gjatë orëve plot makthe të kësaj nate, por tashmë në këtë orë çdo gjë e kam harruar: thjesht më mungon dëshpërimisht; në një mënyrë të thjeshtë njerëzore. Ti në letrat e tua të sofistikuara, shumë larg kësaj times, nuk do të shkruaje kurrë diçka kaq elementare, mbase as nuk do mundje ta ndjeje këtë gjë kaq elementare. Megjithatë besoj se je e ndërgjegjshme për një boshllëk të vogël që ekziston brenda teje. Ti do ta veshësh këtë boshllëk me një fjali të komplikuar për ta kamufluar disi kuptimin e tij. Unë jam ndryshe; më mungon më shumë seç mund ta mendoja dhe ajo që mendoja ishte mjaftueshëm. Gjithsesi ti e tejkalove atë kufi. Kjo letër është klithmë dhimbjeje. E pabesueshme sa thelbësore je bërë për mua. Ma merr mendja që je mësuar me njerëz që të thonë gjëra të tilla. Mallkuar qofsh, krijesë e përkëdhelur! Nuk duhet të përpiqem më të të bëj të më duash duke hequr dorë nga vetja në këtë mënyrë. Por e dashura ime, unë nuk mund të bëj as të zgjuarën dhe as të largëtën me ty: të dua shumë për t’u sjellë kështu. Të dua vërtetë. S’ia ke idenë sa e largët mund të jem me ata që nuk dua. E kam kthyer në një art më vete këtë pjesë. Ama kjo nuk vlen për ty. Ti i ke shembur të gjithë muret e mi mbrojtës dhe mua s’më vjen aspak keq.

S’do të të mërzis më me këto gjëra.

Treni u nis përsëri. Ndiej dridhjet e tij. Do më duhet të shkruaj në stacione, të cilat janë shumë përgjatë gjithë Lombardisë fatmirësisht!

**

Venecia. Kishte plot stacione, por me Orient Ekspresin nuk e kishim lënë që nuk do ndalonim në to. Ja ku jemi në Venezia pas vetëm 10 minutash. Kohë e pamjaftueshme për të shkruar, por po përpiqem. S’ka as kohë për të blerë një pullë italiane, kështu që kjo letër ngelet ta dërgoj nga Trieste.

**

Ujëvarat e Zvicrës kishin ngrirë e ishin kthyer në perde të ylberta akulli, që vareshin nga shkëmbinjtë. Një mrekulli! Italia është zbardhur e gjitha nga dëbora.
Po nisemi prapë. Duhet të pres deri nesër në mëngjes në Trieste. Kërkoj ndjesë që të shkruajta një letër kaq të mjerë.

V.”

Novela “Orlando” e V. Woolf (1928), e cila trajton identitetin gjinor, është frymëzuar dhe i është dedikuar Vitës. Shumë ngjarje janë marrë nga jeta e kësaj të fundit.

Pavarësisht ndjenjave të thella që Vita ushqente për Virginian, ajo pati njëkohësisht edhe të dashura të tjera, shumica e të cilave më të reja në moshë. Virginia e vuajti këtë pjesë. Shpesh ishte xheloze për to dhe ndihej e plakur, jo më e dëshiruar. Pavarësisht kësaj, të dyja ngelën mikesha deri kur Woolf vrau veten në Mars 1941. Vita vdiq pas diçka më shumë se 20 vitesh, në 1962.

© loveinalbania

Continue Reading

Në trend